"Made in China" pushton pasarelat
Last Updated on Saturday, 11 July 2009 15:35 Written by <a href='/index.php?option=com_community&view=profile&userid=62&Itemid=110'>Administrator</a> Wednesday, 01 July 2009 03:57
Modelet kineze janë shumë të kërkuara nga revistat e modës dhe stilistët
Njëra prej tyre quhet Mo Wandan, është kineze dhe një nga modelet e reja që po pushton pasarelat perëndimore. Ka lindur në Guandong, më 29 janar të vitit 1988. Është vetëm 21 vjeçe. Bashkë me të, shumë modele të tjera shfrytëzojnë rastet më të mira për t‘u bërë të njohura në vitrinën ndërkombëtare. Olimpiada e Pekinit një vit më parë, ishte një mundësi e mirë për to. Shumë modele u njohën nga stilistët ndërkombëtarë dhe shumë të tjera morën oferta për të punuar në revistat më prestigjioze të modës. Në fakt, këto vitet e fundit kinezët po përpiqen të pushtojnë edhe botën e modës.
Modelet aziatike kërkohen për sharmin dhe bukurinë e veçantë. Në kopertinat e revistave prestigjioze, si "Vogue" dhe "Elle", sheh gjithmonë e më shumë prej tyre. "Mo Wandan është e jashtëzakonshme. Ka një bukuri të rrallë dhe një stil të veçantë ecjeje", tregon Karl Lagerfeld. Xiuli Gao është një tjetër kineze shumë e pëlqyer në Perëndim. Që në sfilatën e parë i magjepsi stilistët dhe mbarë botën e modës. Lu Yan, prej vitesh është fotomodelja më e kërkuar aziatike dhe ka pozuar për më të famshmet e modës. Por, e para që e hapi këtë rrugë, që e bëri Kinën të ndihej superiore edhe në këtë fushë, ishte padyshim Du Juan. Ka sfiluar mbi pasarelat e stilistëve më të famshëm, mes të cilëve Roberto Cavalli, Bottega Veneto, Armani dhe ka pozuar për fushatat publicitare të firmave më të njohura si Louis Vuitton, Yves Saint Laurent, Hermes dhe Kenzo. Në atë kohë, fytyrat aziatike kishin akoma shumë rrugë për të bërë që të fitonin hapësirë nën dritën e projektorëve perëndimorë, në revistat dhe fushatat publicitare. Modelet kineze kanë një lloj hijeshie, që i dallon ato nga koleget e tyre në Perëndim. Armani ngeli i mahnitur nga modelet e Shangait, ndaj vendosi që të marrë dhjetë prej tyre për sfilatën e tij në Paris. Du Juan dukej e destinuar për të ndryshuar gjërat. Ka qenë aziatikja e parë që është shfaqur në kopertinën e revistës së famshme "Vogue" në Francë dhe ka pozuar për numrin e kësaj reviste që del në Kinë, Londër dhe Itali. Madje është shfaqur edhe në dy revista të famshme amerikane, "Allure" e "W" dhe ka marrë pjesë në sfilatat e modës së lartë në Paris. Suksesi i saj është i pandalshëm. Du Juan ka sfiluar edhe për stilistët e famshëm si Chanel, Valentino, Givenchy, Jan Paul Gautier dhe Oscar de la Renta. Ka edhe modele të tjera aziatike shumë të bukura si kinezja Lu Yan dhe koreania Hye Park, që shfaqen shpesh në revista të fotografuar nga fotografët europianë dhe amerikanë. Angelica Cheung, drejtoreshë e numrit kinez të revistës "Vogue", shpjegon: "Kush punon në revistat e modës gjendet në mënyrë të vazhdueshme përballë këtij udhëkryqi. Në fund i duhet të bëjë një zgjedhje, sepse është thuajse e pamundur t‘i kënaqë të gjithë. Duke zgjedhur një modele aziatike, fotografët perëndimorë kërkojnë origjinalitet, por për kinezët është ndryshe. Du Juan, për shembull, për sytë e tyre është vërtet e bukur, por nuk të mahnit: është thjesht e bukur". Joanne Ooi, udhëheqëse artistike e firmës së modës, ndër më të njohurat në Kinë "Shangai Tang", ka qenë ndër të parat që nuhati se Du kishte diçka vërtet speciale: "Nuk është aspak e përkëdhelur, është modeste, profesionale dhe nuk ankohet kurrë. Ka një bukuri klasike, por është edhe seksuale. E kam zgjedhur, sepse ka një aspekt shumë të veçantë, që i pëlqen një publiku shumë të madh". Sipas thashethemeve të përhapura, kinezët punojnë shumë për të arritur suksesin. Për këtë mjafton t‘u hedhësh një sy faqeve të revistave ku është shfaqur Du Juan, për të kuptuar se në këtë rast është vërtet kështu. Etika e saj e punës i ka hapur shumë rrugë. Këtë shpjegon edhe fotografi nga Hong-Kongu, Wing Shya: "Arrin të marrë pozë në një mënyrë vërtet të veçantë dhe ka një trup shumë fleksibël. Du nuk është modelja e parë kineze e shfaqur në Perëndim, por ajo përfaqëson imazhin modern të vendit të saj". Patric Demarcheiler, fotografi me famë botërore, që ka qenë i pari që e ka zgjedhur Du për kopertinën e "Vogue" në Kinë, shton: "Është e mrekullueshme. Duket sikur ka dalë nga një ekran kinematografik". Kurrikulumi i saj "përmban" emrat e stilistëve më të kërkuar në botën e modës. Në tetorin e 2005-ës, drejtoresha e edicionit francez të "Vogue" e ka vënë Du Juan në kopertinë së bashku me top-modelen australiane, Gemma Ward. Një ngjarje që tërhoqi menjëherë vëmendjen për ta "përdorur" Du-në në fushatat publicitare të Yves Saint Laurent, Roberto Cavalli dhe Louis Vuitton. "Style.com", e ka futur Du-në mes dhjetë top-modeleve të vitit. "Stilistët kanë personalitete të ndryshme, tregon, por një gjë të përbashkët: pasionin e madh për punën. Karl Lagerfeld është vërtet i zoti. Të shkrep mijëra foto e veshur në mënyra të ndryshme, pastaj ka edhe një aftësi të madhe për të zgjedhur ato që i pëlqejnë. Si të gjithë stilistët e tjerë, është shumë i kujdesshëm ndaj detajeve". Ajo e kalon pjesën më të madhe të kohës mes Nju Jorkut dhe Parisit, por kërkon të kthehet në shtëpi çdo dy muaj. Du Juan emocionohet akoma kur kujton herët e para që ka sfiluar në pasarelat ndërkombëtare. Të jesh e famshme është vërtet bukur, por fama nuk vjen duke "ngrënë", përkundrazi. "Për të punuar në fushën e modës duhet të kesh një regjim shumë të ashpër ushqimor. Duhet të jesh e dobët dhe gjatë kohës së sfilatave nuk duhet të shtosh as edhe një gram". Një rregull i vështirë për t‘u respektuar, sidomos për një grua kineze. "Nuk prek oriz dhe makarona, ha vetëm sup, fruta dhe perime". Kur nuk punon i pëlqen të flejë dhe ta kalojë kohën në shtëpi me prindërit e saj. Edhe pse është gjithmonë në udhëtim, e cilëson veten një shtëpiake të mirë. Stilistët që pëlqen më shumë janë Prada dhe Chloe, ndërsa për sa u përket bizhuterive pëlqen të vërë ato që i bën e ëma. Edhe pse është një modele me famë ndërkombëtare, Du Juan ka zbuluar se në Perëndim janë shumë kuriozë për Shangain dhe Pekinin. "Ka një aftësi të lindur për të ‘interpretuar‘ modën. Është kjo ajo që e bën një modele të madhe", shpjegon agjenti i saj, Melvin Chua.



